Skënderbeu ishte një figurë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë. Armët e tij kanë qenë subjekt i adhurimit mitik.
Sipas legjendave shpata e tij ishte aq e rëndë sa që vetëm krahu i tij mund ta mbante. Po sipas legjendave, shpata e tij ishte kaq e mprehtë sa mund ta priste një burrë nga koka në bel me pak mundim dhe të priste një gur të madh në dysh me një goditje të vetme.
Nga të gjitha ato që na kanë mbetur prej Skënderbeut janë vetëm katër objekte: dy shpata, një helmetë veneciane dhe një libër lutjesh. Momentalisht armët (helmeta dhe shpatat) janë të shfaqura në Koleksionin e Armëve dhe Armaturave në Neue Burg (i lidhur me Muzeun Kunsthistorisches) në Vjenë pasi kishin kaluar në duart e shumë fisnikëve që nga shekulli i 15-të kur u sollën për herë të parë nga Shqipëria nga gruaja e Skënderbeut, Donika Kastrioti. Libri i lutjeve është i arkivuar në Shtëpinë Publikuese Shelley në Çelsi, Londër.
Sipas Dhimitër Frângut, një zyrtar dhe mik në armë i Skënderbeut, shpata e parë ishte e kthyer ose e lakuar (Në italisht: una schimitarra storta), me një majë të mprehtë dhe me hijeshi e bërë nga çelik Damasku. Ka edhe burime që thonë se për ca kohë Skënderbeu mbante dy shpata në të njëjtin mill. Frengu pastaj shton, me pak ekzagjerim, se Skënderbeu solli një mjeshtër shpata-bërës nga Italia, i cili prodhoi tre shpata më të mira për të. Një prej tyre, "e cila mund të priste përmes çelikut," ai ia dërgoi si dhuratë sulltanit otoman.
Dihet gjithashtu se në vizitën e fundit të Skënderbeut në Vatikan, Papa Pali II i dha heroit shqiptar një shpatë me nënshkrimin (It: una spada ed un capello).
Kjo shpatë e drejtë, që gjendet në Muzeun e Ambrasit sëbashku me helmetën, ka dy cepa dhe është e larë në ar. Është 85.5 centimetra e gjatë, 5.7 cm e gjerë dhe peshon 1.3 kilogramë. Milli ishte prej lëkure. Sipas Faik Konica, që e kishte parë shpatën në fillim të shekullit të 20-të, kishte akoma njolla gjaku në shpatë.
Nga ana tjetër, shpata e lakuar, bashkë me dorezën, është 121 cm e gjatë dhe peshon 3.2 kg. Kjo shpatë është e ndikuar prej stilit otoman të kohës dhe siç ka thënë edhe Dhimitër Frengu pesë shekuj më parë është prej çeliku të Damaskut me shumë zbukurime e stolisje. Ka një nëshkrim në turqisht që sipas Faik Konicës është i pasaktë. Nënshkrimi thotë: (Libehadur Allah Iskander beg – Kampion i Zotit, Skënderbe). Megjithatë, sipas Faik Konicës, vetëm tehu u përket shpatës fillestare të mbajtur nga Skënderbeu. Doreza, e larë në argjend dhe milli e kadifejtë i përkasin një kohë më të vonë. Të dy shpatat janë riprodhuar në Vjenë, për tu paraqitur në Tiranë.
Nga këto dy shpata, ajo të cilën Skënderbeu ka përdorur në betejë ka qenë ajo e lakuara. Shpata e drejtë ishte shumë e shkurtër, kurse tjetra lejonte përdorimin edhe për sulmet kalorsiake. Përveç kësaj, ai ishte stërvitur në Turqi ku i kishte mësuar aftësitë në arte marciale dhe ka më shumë mundësi që ai ta ketë pasur më të rehatshme të përdorte atë shpatë.
Helmeta e Skënderbeut është e përbërë nga metal i bardhtë, i zbukuruar me një shirit të veshur me ar. Në majë të saj gjendet koka e bronztë e një dhie me brirë, por që është e veshur me ar. Pjesa e poshtme përmban një shirit bakri me mbishkrimin * IN * PE * RA * TO * RE * BT *, që do të thotë: Jhezus Nazarenus * Principi Emathie * Regi Albaniae * Terrori Osmanorum * Regi Epirotarum * Benedictat Te (Jezus Nazarene E Bekon Skënderbeun, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanëve, Mbret i Epirit). Mendohet se shiriti i bakrit me mbishkrimin janë shtuar nga pasardhësit e Skënderbeut, kurse Skënderbeu vetë nuk ka mbajtur asnjë titull tjetër veç atij të “Lordit të Shqipërisë” (Latin: Domi inus Albaniae[1]): Duhet thënë megjithatë se përkthimi i saktë latin i fjalës Regi është Mbretëri meqënëse është fjala Rex që do të thotë Mbret. Kështu që mbishkrimi në helmet lidhet me emrin e pavendosur me të cilin Shqipëria njihej në atë kohë, në mënyrë që të përcaktonte udhëheqjen e Skënderbeut mbi gjithë shqiptarët. Burimet bashkëkohore shfaqin se Shqipëria e shekullit të 14-të përcaktohej si një grupim etnik e fisnor, që nuk kishte një shtet të vetin. Kështu që, në varësi të vendit ku jetoje – Veri ose Jug, në fusha ose male dhe me cilin qytetërim ishe lidhur – ne kemi turqisht: Arnaut, Greqisht: Arbanas, Arbanensis, Italisht: Albanian, Epirotarum, Albanensis, Shqip: Arbër, Arben, Arbëresh, Epirotas.[2]
Sipas historianit Shefqet Pllana, Sami Frasheri në punën e tij Kamus-al-Alam thotë se fjalët "Dhu lKarnejn" (pronar i dy brirëve) ishte një epitet që i jepej Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, po i njëjti emër që Skënderbeu mbante në formën islamike. Me kërkesën e qeverisë shqiptare të para Luftës së Dytë Botërore, një kopje identike e helmetës së Skënderbeut gjendet tani në Muzeun Kombëtar të Tiranës në Shqipëri. Kopja u prodhua nga një mjeshtër i talentuar austriak në 1937.
Helmeta dhe shpata kanë një histori të errët dhe ngatërruese. Pas vdekjes së Skënderbeut, ato u morën në Itali nga gruaja e Skënderbeut Donika dhe djali i tij Gjoni. Kush i trashëgoi pas vdekjes nuk dihet Armët u rishfaqën në dekadën e fundit të shekullit të 16-të. Në 1590 një helmetë dhe një shpatë ishin në pronësinë e Kontit Eolfgang i Sturnbergut kurse shpata tjetër ishte në Inventarin e Muzeut të Armëve të Arqidukës Karl të Stirisë, djalë i Perandorit të Shenjtë Romak në Graz të Austrisë (ato paraqiten në inventarin e 30 tetorit 1590). Personi që i grumbulloi të gjitha armët bashkë ishte djali i Perandorit dhe vëllai i Karlit, Arqiduka Ferdinand i Tirolit, i cili, duke vepruar me këshillën e Kancelarit të tij Jacob Shrenk von Gotzing, i bleu armët dhe i mbajti në të njëjtin vend. Më vonë, ky princ ngriti Muzeun e Ambrasit, pranë Tirolit, të cilin e mbushin me lloj-lloj materialesh ushtarake, ashtu si edhe me piktura dhe protrete të personaliteteve të kohës. Në 1806, armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë.
For a condensed version please refer to http://www.forumishqiptar.com/showpost.php?p=817387&postcount=10
https://web.archive.org/web/20120215004007/http://bilddatenbank.khm.at/viewArtefact?id=371645 (në gjermanisht) https://web.archive.org/web/20120215004019/http://bilddatenbank.khm.at/viewArtefact?id=372961 (në gjermanisht)
{{citation}}
: Mungon ose është bosh parametri |language=
(Ndihmë!)