Arsimi dhe edukimi në antikitet janë nocione dhe koncepte me të cilat nënkuptohet edukimi dhe arsimi në shoqërinë antike skllavopronare duke përfshirë një hark kohor prej rreth 4000 vjetësh, prej paraqitjes së shkrimit të parë kuneiform sumerian rreth vitit 3200 p.e.s. e deri në shekullin V të erës sonë. Djepi i kulturës dhe civilizimit perëndimor konsiderohen ata popuj të cilët jetonin në vende me kushte të përshtatshme për jetesë siç ishin lugina e lumit Nil në Egjiptin e lashtë, luginat e lumenjve Tigër dhe Eufrat në Mesopotami, lugina e lumit Jangce në Kinë, lugina e lumit Indus në Indi, bregdeti i Egjeut në Greqi, etj.
Arsimi në Greqinë antike kishte një traditë homerike dhe aristokratike ndërsa ishte "demokratizuar" shumë sidomos në shekullin V p.e.s. pjesërisht si rezultat edhe i ndikimit nga sofistët, Sokrati , Platoni dhe Aristoteli. Më vonë, në periudhën helenistike të Greqisë antike, arsimi në gjimnaze konsiderohej si një kusht themelor për pjesëmarrje në kulturën greke. Vlera e edukimit fizik për grekët dhe romakët e lashtë ka qenë historikisht unike. Në Greqinë e lashtë kishte dy forma themelore të arsimit: formal dhe joformal. Arsimi formal arrihej përmes frekuentimit të një shkollë publike ose nga një mësues privat. Arsimi joformal arrihej nga një mësues i papaguar dhe zakonisht bëhej në një mjedis jo publik. Asokohe arsimi ishte një element përbërës dhe thelbësor i identitetit të një personi.
Arsimi dhe edukimi formal grek ishte kryesisht për meshkuj por jo edhe për skllevërit. [1] Në disa polise, u miratuan edhe ligje për të ndaluar arsimimin e skllevërve. [2] [3] Spartanët gjithashtu mësonin edhe muzikën dhe vallëzimin, por vetëm me qëllim të forcimit të manovrimit të tyre si ushtarë.
Arsimi në Romën antike fillimisht kishte karakter familjar dhe joformal sidomos në Republikën e hershme por që më vonë u zhvillua në një sistem të bazuar në shkollim gjatë Republikës së vonë dhe Perandorisë. Sistemi arsimor romak ishte i bazuar në sistemin grek - dhe shumë prej mësuesve privatë në sistemin romak ishin skllevër apo njerëz të lirë grekë. Metodologjia arsimore dhe programi mësimor i përdorur në Romë u kopjua në provincat e tij duke siguruar një bazë për sistemet arsimore përgjatë civilizimit të mëvonshëm perëndimor. Edukimi dhe arsimi i organizuar mbeti relativisht i rrallë dhe ka pak burime ose të dhëna lidhur me procesin arsimor romak deri në shekullin II të erës sonë. Për shkak të fuqisë së gjerë të ushtruar nga babai mbi familjet romake, niveli dhe cilësia e arsimit që u sigurohej fëmijëve romakë ndryshonte në mënyrë drastike nga familja në familje; megjithatë, morali popullor romak erdhi duke ndryshuar madje aq sa baballarët të dëshironin të kishin fëmijët e tyre të arsimuar deri në një farë mase, dhe pritej një arsim i plotë i avancuar nga çdo romak që dëshironte të hynte në politikë. [4]
Ndër mësuesit më të njohur në Romën antike konsiderohen Marcus Tullius Ciceroni dhe sidomos Marcus Fabius Quintiliani.
Arsimi dhe edukata te ilirët janë nocione dhe koncepte me të cilat nënkuptohet tërësia e formave, organizimeve dhe institucioneve arsimore, edukative dhe shkollore tek ilirët. Duke u mbështetur në hulumtimet dhe zbulimet më të reja shkencore historike, arkeologjike, epigrafike (mbishkrimore), linguistike (gjuhësore), paleografike, etj. është bërë e mundur edhe rikonstruktimi i sistemit arsimor dhe edukativ te ilirët. [5] Në përgjithësi ai është zhvilluar duke u nisur nga një nivel i edukatës familjare dhe informale drejt një sistemi të organizuar, institucional dhe formal arsimor dhe edukativ. Sistemi arsimor te ilirët përfshinte këto nivele:
Nga mësuesit më të njohur ilirë konsiderohen Kratill Mahata, Mark Lugari, Mark Sopatri, Niko Filozofi, Niketë Dardani (Niketa i Remesianës), Jeronimi nga Stridoni (Sofron Eusebi), etj.