Bejtexhinjtë ose bejtaxhijtë në Veri, kanë qenë vjershatarë popullorë në traditën myslimane.[1] Në realitetin shqiptar shënjon të njëjtën gjë,[2] fillimisht myslimanë, që ndryshuan sistemin e vjershërimit të njohur si bejte,[3] të cilat i nxirrnin ndër ahengje kryesisht.[2] Përhapja e këtij sistemi vjershërimi dhe nisja e shkrimit të poezisë myslimane në gjuhën vendase i dha formë një letërsie që zgjati për rreth dy shekuj në mjedisin shqiptar,[4] pjesë e letërsisë shqipe me alfabet arab.[5][6][7][8]
I quajtur edhe ashik (dashnor, i djegur pas) ose shaír,[6][9] hartuesi i bejtave, bejtaxhiu sipas Pipës është gjegjësi qytetas i rapsodëve të maleve të veriut. Por ndryshe nga këta, bejtaxhiu ishte profesionist dhe mund ta përdorte dhuntinë e tij vjershëruese për të nxjerrë bukën e gojës. Bejtaxhijtë zakonisht vinin nga shtresa qytetëse të ulëta ose të mesme, rastësisht mund ta pranonte mbrojtjen e një zotnie të fuqishëm. Në pjesën më të madhe të kohës ai ishte vox populi, regjistrues i fasta-ve (prapësive) të qytetit të tij si dhe zëdhënës për kritikën popullore.[10]
Pasi bejtja zuri vend brenda metrikës folklorike dhe u bë pjesë e saj, ajo u përdor për subjekte erotiko-mistike dhe epiko-didaktike nga poetët myslimanë në Shqipërinë Qendrore dhe Jugore, duke ruajtur karakterin e prejardhjes. Ndërsa në veri mori paraqitje më popullore dhe shpesh të pagdhendur, ku më së shumti u përdor për satirat.[3] Krjimtaria e bejtexhinjve ishte e ndikuar fuqishëm nga kultura islame.[1] Bejtari i parë për të cilin dihet se ka shkruar poezi, ka qenë Dervish Hasani nga Krusha e Vogël i pari i një teqeje të tarikatit Halveti në Rahovec, në fundin e shek, XVII. Vargjet e tij kanë mbijetuar pjesërisht ose aspak.[6]
Dëshmia më e hershme e shkrimit të poezive me alfabet arab është poezia me titull Imzot, mos na lërë pa kahve nga Muçi Zade, më 1725.[11] Krijim që përbën njëheri edhe krijimin letrar më të vjetër shkruajtur me dialektin toskë brenda në Shqipëri. Poeti i parë i madh i kësaj letërsie ishte Nezim Frakulla, i cili la një divan[1] duke ruajtur metrikën e modeleve orientale.[12] Mbrojtësit e Nezimit, Sulejman pashë Vërlaci i Elbasanit dhe Ismail pashë Velebishti i Vlorajve, ishin po ashtu bejtarë.[6]
Bashkëkohësi dhe bashkëqytetari i Nezimit, Sulejman Naibi, la po ashtu një divan që u zhduk gjatë Luftës së Dytë Botërore.[13] Ne 2022, Studiuesi Fatos Dibra publikoi nje edicion kritik te Divanit te Sulejman Naibit. qe permbaj 42 poezi.[14]
Gjysmën e dytë të shekullit, poetët gjysmë të kultivuar si shkodranët Mollà Dobraçi, Mollà Pata dhe kolonjari Hasan Zyko Kamberi e popullarizuan këtë mënyrë poetike, dhe u përpoqën ta sillnin bejten në ujdi me tetërrokëshin kombëtar.[12] Dy të parët pasuan Kara Mahmud pashën e Bushatllinjve në fushatën e tij kundër Kurt Ahmet pashës, lanë bejte epiko-satirike të situatave të ndryshme të mjedisit qytetar shkodran, si në luftë.[3][10] Kamberi la vargje një mevlud të shkurtër, ilahi dhe mbi pesëdhjetë poezi me tematika sociale,[13] ku praktikoi edhe satirën.[10]
Në shtjellën e përplasjeve mes familjes Jella dhe Toptanve në Tiranë dhe dëmit ekonomik që shkaktonte mosqendrueshmëria e rendit, terziu bejtar Zenel Bastari nga Tirana e thuri në vargjet e titulluara Tirona jonë si msoi. Bejtja Meti i Mlla Rexhepit shënjon shpotitjen që i bëhet nëpunësit dhe mullait imoral përmes një portret satirik.[15] Bashkëkohësi i Bastarit nga Çamëria, Muhamet Kyçyku - që mbahet si autori më i dalluar i kësaj letërsie fillimshekullin e XIX - la një ndër veprat që ka mbijetuar e plotë, Erveheja si dhe Jusufi e Zelihaja.[16] Ndër poetët e tjerë të traditës së shkrimit përmes Elifbasë qenë edhe Tahir efendi Boshnjaku, Et'hem bej Molla,[17] dervishi Tahir Nasibi që themeloi teqenë e Frashërit, si dhe pasuesit e tij,[6] vëllezërit Dalip dhe Shahin bej Frashëri.[18][19]
Nga fundi i shekullit XIX në mjedisin shkodran spikasin Osja i Falltores dhe Hila i Files.[10]
Në Tiranë satirist politik gjatë viteve '20-'30 ka qenë Hafiz Ibrahim Dalliu. Në vijim të traditës së pasur të bejtaxhijve, në Shkodrën e viteve '30 bejtaxhia më i hollë ishte rrobaqepësi Kolë Tivari, i cili gjatë viteve '30 fshikullonte politikën jopopullore të qeverisë ndër bejta që recitoheshin gjatë karnevaleve të Shkodrës. Tjerë bejtaxhij shkodranë që ishin aktivë në vitet '30 ishin: Hamdi Bejtja, anëtar i një tarikati sufi, autor i shumë pamfleteve të cilat ai vetë i shpërndante rrugëve; Pjetër Gjini, i cili botoi shumë histori gazmore me rima në stil popullor, si p.sh. Malcori në Paris; Ndoc Vasija, vargu satirik i të cilit ishte shumë afër poezisë së kultivuar.[10]
Tradita e shkrimit të vargjeve me alfabet arab vazhdoi në Kosovë deri më 1947,[20] ndërsa si rrjedhë krijimtarie deri në vitet 1980.[21]
Vjershërimin e tyre përmes bejteve e ushtruan kryesisht në mjedisin qytetar,[3] ndër ahengje.[2] Bejtexhinjtë qenë rapsodë me talent e me forcë krijuese që shkruan një letërsi të re shqiptare të mbështetur në traditën islamike, por edhe një gjuhë letrare të re, sado ende të papërpunuar. Letërsia shqiptare u shkrua me shkrim arab për më se dy shekuj, duke lulëzuar në shek. XVIII dhe gjysmën e parë të shek. XIX pasi u zëvendësua shkallë-shkallë me romantizmin e Lëvizjes Kombëtare, shkruar kryesisht me alfabete të bazës latine.[22] Bejtet gjetën rrugën për tek thesari anonim i folklorit dhe kanë qenë jetë e mot pjesë përbërëse e këtij të fundit.[10] Këngët qytetare shqiptare u ndikuan nga vjershërimi i bejtexhinjve, duke përvetësuar dhe imituar modulet e Lindjes së Mesme,[23] dhe letërsia përkatëse u shkri brenda këtij formacioni letrar.[24]
Elsie çmon si vijuese të kësaj letërsie atë që u zhvillua në mjedisin shpirtëror bektashian.[20] Vepra satirike e fratit françeskan Gjergj Fishta është krejt në sintoni me traditën shkodrane të bejtaxhijve, duke i dhënë përmasë të divulguar letrar.[10]
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)