Bushatllinjtë, në Shkodër beglerët Bushatlij, kanë qenë një familje ajanësh e njohur në historinë e Perandorisë Osmane, kur spikatën në gjysmën e dytë të shekullit 18, si dhe për kontributin e tyre në para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë.
Pavarësisht konvencionit për ta emërtuar këtë oxhak Bushatllinj, dokumentacioni tregon se ky emërtim është relativisht më i rishtë sesa mendohet për mënyrën se si janë pasqyruar ndër anale, gojëdhëna, dokumentime e letërkëmbime anëtarët e këtij oxhaku. Vetë fshati me të cilin llagëpi ka lidhje të drejtëpërdrejtë, dokumentohet herët, por në bashkërendim me këtë familje për herë të parë e pasqyron kronisti turk Çelebi me togfjalëshin Bushatllar kasabasi (sq. qyteza e Bushatllijve). Pas tij i vetmi që e përdor shkoqur llagëpin është Ahmet Xhevdet Pasha më 1895. Çelebiu kur takoi çifligarin e Bushatit, e identifikon "pasardhës i Jusuf Beut, trashëgimtar i pallatit nga Jusuf bej Plaku, që prej kohës së sulltan Mehmet Fatihu II".
Pinjolli i familjes dhe studjuesi Hamdi Bushati konstaton se asnjëri prej pashallarëve të këtij oxhaku nuk e ka përdorur llagëpin "Bushatlli" dhe nuk figuron në literaturën osmane pas-Çelebiut. Vetë pashallarët përdornin epitetin Ishkodrali, pra Shkodrani.[1]
Nga radhitja e varianteve, origjinat e lakuara nga historishkruesit janë:
Ky variant i mbështetur tek një gojëdhënë popullore, e cila thotë se të parët e tyre ranë nga fshati Gojan i Mirditës dhe u vendosën në fshatin Bushat të Shkodrës rreth vitit 1630. Përafërsisht vitit 1650 i pari i tyre i njohur, Ymer beu, u bë spahi i fshatit dhe i zonës përreth.[2]
Ky variant bëhet i pavlefshëm sipas argumentimit të H. Bushatit, i cili shpjegon se bëhet fjalë për një situatë kur Reshiti i Mehmed begut (jo Plaku) u strehua në Gojan pas vrasjes së të atit, për 6 vjet tek familja e Gjin Lekës. Prej kësaj i mbeti nofka Beu i Gojanit, duke dhënë shkas për bashkëshoqërimin e një origjine me Gojanin[1] e divulguar si tezë edhe prej Dom Ndoc Nikës.
Lidhja me Mirditën bëhet më e hershme duke e çuar mbrapa në kohë mundësinë e prejardhjes nga familja e Dukagjinëve mesjetarë, meqë edhe Mirdita ishte ndër zotërimet e tyre. Ndër përkrahësit e këtij varianti ishin Sami Frashëri,[3] Tefë Curani, Dora d'Istria dhe Hekardi pohojnë se "... ky bark rrjedh prej parisë së Dukagjinit që janë përmendë qysh në kohë të Skënderbeut." Për H. Bushatin e tyrja është vetëm këmbëngulje.
Shënimet e priftit shqiptar Gjergj Bardhi mbi udhëtimet e veta në viset veriore në maj 1638 shkruajnë:
Megjithëse Shqipëria e Veriut është në Turqinë, në fakt atë e sundonin, sikurse në shek. XV, disa zotër feudalë të fuqishëm. E përmendur ishte asokohe shtëpia e Sumejve ose e Beganëve. Sulltan Murati IV në vitet 1623-1640 ia besoi sanxhakun e Shkodrës Mehmet beut, pjesëtar i oxhakut Sumej-Beganji.
Në referencën popullore në Shkodrën e qëmotit, qytet e krahinë, përdorej shpesh shprehja "si Begajt e Bushatit e Aliajt e Kastratit", me anë të së cilës diktohej hershmëria e fisnikëria e një familjeje. Shprehje kjo me fjalën Begaj që për H. Bushatin ndihmon në vërtetimin e pohimit të priftit Bardhi.
Autorët e tekstit "Historia e Shqipërisë" më 1967 kanë arritur gjithashtu të njëjtin konkluzion kundrejt prejardhjes nga kjo familje.[1]
Në Regjistrin e Kadastrës i quajturi Aleks Begani përmendet ka prona në përkatësitë e Shkodrës, mban prona me konçension, kreu i fshatit Balldre.[5] Për t'u siguruar rreth mërgimtarëve shkodranë të ikur në Venedik që do t'u lidhej pension, më 1483 ipeshkvi i Shkodrës Françesk de Santi dëshmon se kishte njohur Katerina Began, gruan e Tane Progon Began nga Shkodra. Më 1484 iu dha në ndihmë paja Sana Beganit, vajza e fisnikut shkodran Marin Began, duke marrë 20 dukate pajë. Ndër dokumentet e Senatit të Venedikut përmendet edhe Lukë Begani, ndaj të cilit thuhet se duhet treguar respekt i veçantë; i përkiste një familjeje nga më të shquarat.[6]
Një degëzim i familjes u zhvendos drejt viseve boshnjake, duke u vendosur në Livanji ku blenë prona dhe u bënë bejlerët e vendit. Njëri prej tyre Mahmut beg Bushatlija kundërshtoi austriakët kur e aneksuan Bosnien më 1878. Për shkak të kësaj qendrese, 80 anëtarë të familjes së tij u shpërngulën dhe plaçkitën. Disa prej tyre u vendosën në Bugojna dhe Donjeg Vakufi dhe Ibrahim bej Bushatliu u vendos në Vitinë, ku bleu toka për nevojat e familjes së tij.[7]
Prej të birit të Ibrahim beut, Mehmet beut martuar me Miralem hanmin, patën jetë Kana, Asimi (mjek primar, epidemiolog), Zlata Bušatlija-Haračić (filologe e gjuhëve romance, arsimtare e frëngjishtes, italishtes dhe latinishtes), Emina (Minka) Bušatlija-Stojanović e ëma e drejtorit të Teatrit Jugosllav të Dramës dhe regjizorit Gorčin Stojanović, dhe gjeografi, gjeomorfologu e akademiku jugosllav Ibrahim Bušatlija (Vitinë, 1930 - Sarajevë, 28 janar 1989).[7]
Origjina e kësaj familjeje shkodrane, sipas një thënieje, është nga familja princore e Dukagjinit...