Bylykbashi ose bylybashi ishte një gradë ushtarake në ushtrinë osmane, që i përgjigjet drejtuesit të një bylyku (kompanie). Bylyku përbëhej nga 100-250 ushtarë me pagë, por shifra ndryshon sipas periudhave. Përgjithësisht, bylykbashi funksiononte si drejtues i forcave të ruajtjes së rendit dhe qetësisë në qytet.
Bylykbashi administronte malin, që i afrohej nahijes për nga shtrirja tokësore, dhe përfshinte sipas rastit një ose më shumë bajrakë. Më 1831 dy bajrakët e Hotit dhe dy të Grudës konsideroheshin një mal. Më 1861 bajrakët Triesh, Kojë e Fundna përbënte një mal, bylykbashi i të cilit rrinte në Podgoricë. Sipas Salnamesë së Vilajetit të Shkodrës e vitit 1892 Malësia e Shkodrës ndahej në dhjetë male: Hot (dy bajrakë), Grudë (dy bajrakë), Kelmend (katër bajrakë), Kastrat, Shkrel, Reç-Lohe (dy bajrakë), Rrjoll, Postrribë (tre bajrakë), Shllak-Temal (dy bajrakë), Dukagjin (gjashtë male).[1]
Emërimi i bylykbashit bëhej nga autoritetet e larta me propozim të valiut, zgjidhej nga paria myslymane e qytetit dhe si kriter ishte që bylykbashi duhej të gëzonte besimin e malësprëve, të kishte lidhje farefisnore me malin që do të administrohej dhe të njihte mirë të drejtën zakonore. Duhet të shihte paditë private dhe për të siguruar rendin e qetësinë në themel të zakoneve të popullsisë së maleve.[1]