Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Harilla Papajorgji (11 tetor 1933 – 7 shtator 2019) ka qenë një politikan shqiptar, profesor i ekonomisë dhe drejtues shtetëror.[1][2] Ai ka qenë Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit në vitet 1982 – 1985,[3][4] anëtar i Asamblesë Popullore në vitet 1982 - 1987[5][6] si dhe Zëvendës drejtor i Institutit shkencor i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë në vitet 1985 – 1991.
Harilla Papajorgji ka lindur në 11 tetor 1933 në Vlorë. Ai u rrit dhe kaloi vogëlinë e tij në Vlorë. Pas Luftës së II Botërore, Papajorgji studioi në Shkollën e mesme tregtare në Vlorë dhe përfundoi studimet e tij Universitare me rezultate të shkëlqyera në ish institutin e Lartë Ekonomik në Tirane në vitet 1952-1956. Ai i përket brezit të parë të diplomuarve të shkëlqyer që themeluan Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranes në vitin 1956. Ai fitoi gradën shkencore “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” në vitin 1972, gradën shkencore “Doktor në Ekonomi” në vitin 1982 dhe titullin akademik “Profesor në Ekonomi” në vitin 1986.
Pas përfundimit të studimeve në Ekonomi në vitin 1956, Papajorgji punoi si pedagog efektiv pranë Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës deri në vitin 1964. Ai ishte anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Ekonomisë deri në vitin 1991. Në vitin 1964, ai u emërua Sekretar i Parë i Rinisë së Tiranës dhe punoi në Institutin shkencor të Komitetit Qëndror të Partise në vitet 1969-1981.[7] Ai u emërua Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit në vitet 1982 – 1985 dhe ishte deputet i Tiranës në Asamblene Popullore të Shqipërisë në vitet 1982 – 1987.[2][3][8] Me kërkese te tij, për arsye shëndetësore, kërkon lehtësimin nga kjo detyrë dhe rifillon punën si Këshilltar në Sektorin Ekonomik të Komitetit Qëndror, si dhe Zëvendësdrejtor i Institutit Shkencor të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës.
Harilla Papajorgji është vlerësuar me çmimin e parë të Republikës për studimin e zhvillimeve demografike e të familjes, të përmirësimeve që duhen bërë në ekonomi e planifikimin e centralizuar dhe disa probleme sociale të kohës (1989).
Harilla Papajorgji ka botuar më shumë se 10000 faqe në formën e monografive, teksteve universitare, kapituj në studime shkencore, artikuj shkencorë e botime me proceedings. Disa nga librat e tij janë përkthyer në Anglisht, Frëngjisht, Rusisht dhe Greqisht. Listë e përzgjedhur publikimesh: