Llambi Gegprifti inxhinier dhe politikan shqiptar. Ka lindur më 14 shkurt 1942 në fshatin Potgozhan të Pogradecit në një familje të varfër fshatare. Ka kryer studimet në Fakultetin e gjeologji-minierave. Ka punuar si inxhinier e drejtues në sektorin e minierave, ku u dallua si organizator i aftë. Anëtar i PPSH më 1964. Kandidat i KQ të PPSH në Kongresin VI (1971) dhe anëtar i KQ të PPSH në Kongresin VII (1976).
Në vitin 1974 u ngarkua me detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore, ndërsa në mars 1981 u emërua ministër i Industrisë dhe Minierave. Para ndryshimit të sistemit ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës prej vitit 1986-1987 dhe 1989-1990. U nda nga jeta më 1 maj 2023.