Mustafa Gjinishi | |
---|---|
U lind në | 15 janar 1912 |
Vdiq | 23 gusht 1944 (32 vjet) |
Shkaku i vdekjes | U vra |
Partia politike | PKSH |
Prind/ër |
|
Mustafa Gjinishi (Peqin, 15 janar 1912 - Sllatinë, 23 gusht 1944) qe publicist, veprimtar komunist, anëtar i Grupit të Tiranës, themelues i PKSH dhe drejtues në luftë i njohur Tafari. Gjinishi përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]
Lindi në Peqin, i biri i Adem Gjinishit dhe nip i nënshkruesit të Shpalljes së Pavarësisë Mahmud efendi Kaziut.[2] I ati kishte qenë delegat në Kongresin e Lushnjes, u vra në prag të zgjedhjeve më 1923 bashkë me Haxhi Isuf Kazazin, gjë që e ndikoi tërë jetën e Mustafës.
Mësimet i ndoqi në shkollën teknike në Tiranë në vitet 1924-30, i çmuar edhe prej vetë drejtorit Harry Fultz. Botoi shkrimet e veta tek të përkohshmet "Shekulli XX", "ABC", "Jeta dhe kultura", "Flaka", "Besa", etj. Ra në kontakt me idetë komuniste prej mësuesit Hasan Reçi dhe qe pjesë e grupit të themeluar prej tij. Me rastin e kryengritjes së Fierit dënohet me vdekje, dënim që iu kthye në dënim të përjetshëm. Lirohet prej burgut më 1938, mori pjesë në demonstratat e para të prillit 1939 dhe pastaj u arratis në Mbretërinë Jugosllave me Myslym Pezën, H. Lleshin, M. Kaçaçin, H. Shijakun, etj.
Shërbeu si konjukturë me kol. Dayrell Oakley-Hill, i fundit shef i zyrës së SOE në ambasadën britanike në Beograd pasi Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, atje organizohet Fronti i Bashkuar i Rezistencës me Abaz Kupin, Gani bej Kryeziu, Xhemal Herri e Muharrem Bajraktari[3] nga atasheu britanik Julian Amery[4]. Kthehet në atdhe dhe shërben pranë njësive komuniste të Grupit të Korçës, me ardhjen e misioneve britanike kryen detyrën e dragomanit me ta. Në mbledhjen e Pezës në shtator 1942 kreu detyrën e sekretarit[5].
Pas Kongresit të Përmetit dërgohet në viset mbi Shkumbin, ku në Sllatinë, pjesë e frontit të Maqellarës drejtuar nga Dali Ndreu në një përpjekje me trupat gjermane plagoset bashkë me oficerin anglez Victor Smith, Gjinishi vdes. Me dënimin e Liri Gegës më 1956 i nxirret prova e fonogramit të saj, Liri Gega njoftonte nga Peshkopia “se detyra u krye”, dmth Gjinishi ishte vrarë - akuzë kjo që iu bashkangjit akuzave të tjera që e shpunë drejt pushkatimit[6].
Prania e tij si përkthyes, pranëvënia me oficerët e misioneve angleze do të bënte që figura e tij të dënohej nga Enver Hoxha dhe historiografia komuniste si agjent anglo-amerikan[7]. Në të gjitha përmendjet që i bën Enveri në veprat e veta, ka ngjyresa smire dhe xhelozie kundrejt lidhjeve dhe zhdërvjelltësisë së Gjinishit[8].