Nezimi i Beratit | |
---|---|
![]() | |
U lind më | 1685 Frakull, Perandoria Osmane sot në Fier, Shqipëri |
Vdiq më | 1760 Në një nga burgjet e kohës në Stamboll |
Emri i letrave | Nesim |
Kombësia | shqiptar |
Nënshtetësia | osman |
Gjinitë letrare | poezi |
Punët e shquara | Divani |
Vite aktiv | shek. 18 |
Ibrahim Nesim bej Frakulla[1] i njohur si Nezimi i Beratit,[2] (Frakullë, 1685 - Stamboll, 1760) ka qenë poet shqiptar, më i madhi i shekullit të vet në letërsinë shqipe[3] dhe lëvruesi më i rëndësishëm i bejtexhinjve, pjesë e letërsisë shqipe me alfabet arab, i cilësuar nga Pipa "poeti i parë shqiptar".[4]
I quajtur Ibrahim Berati nga Sami Frashëri, Nezim beu nga Von Hahni dhe Camarda, i njohur deri në vitet 1950' si Nezim Berati, më pas emri që iu përhap qe Ibrahim Nezimi[5] ose Nezim Frakulla.[6] Nesim ose Nezim ka qenë mahlasi (pseudonimi) i vetëzgjedhur.[1][5][7]
Mendohet se lindi ndër dekadat e gjysmës së dytë të shek. XVII (1660',[8] 1680-1681,[1] 1680-1685[8]) në Frakullë në një familje me prejardhje të mirë. Mendohet se në rini ka qëndruar gjatë në Berat,[8] asokohe qendër e kulturës islame,[9] qytet të cilin e cilëson ndër vargje vatanin e vet,[5] ku nxuri në medresenë e qytetit. Më pas shkoi në Stamboll, për të studiuar më tej, ku dhe shkroi vjershëroi në turqisht e persisht. Udhëtoi ndër vende arabe, por nuk ka mbijetuar asnjë varg në arabisht i shkruar prej tij.[8]
U kthye në Berat më 1731, ku dikur pas kthimit u pajtua qehaja i të quajturit Haxhi Hasan Ismailit.[10] Ndjekës i dijeve të Hurufijve, pasues i Ataullah Naim Mullait, vëllai i madh i Sulejman Naibit.[11] Nisi kultivimin e letërsisë shqipe me alfabet arab. Pati një mejdan poetik me Myfti Mulla Aliun, gjë që çoi në trazime dhe përçarje të qytetit. Për këtë mejdan i shkoi lajmi Shejh al-Islamit, i cili ndërhyri dhe shkarkoi myftiun e qytetit.[8]
Dikur pas 1747 pasi udhëtoi për punë në kryeqytetin perandorak,[9] nga veprimtaria e tij poetike kuptohet se ka qenë në Hotin të Besarabisë, por nuk dihet arsyeja.[12] Më pas i thur një kaside vargje për shkresën perandorake që i mundësoi kthimin në vendlindje nëpërmjet Shkupit dhe Elbasanit.[9] Kur u kthye, sanxhakbej i Beratit shërbente Ismail pashë Velebishti i oxhakut të Vlorajve, edhe ai bejtexhi.[12] Ibrahimi gëzonte mbrojtjen si të Ismail Pashës ashtu edhe të Sulejman pashë Vërlacit të Elbasanit.[9] Më 1748 u martua me Istihanin nga Peqini, ndërsa pas tre vjetëve Hatixhenë, vajzë e një familjeje të pasur nga Bobrati, martesë në të cilën pati dëshmitar Ataullah Efendinë - i cili qe myfti i Beratit për ca kohë.[13]
Për çështjet e shumta që trajtonin vargjet e tij dhe trazimet që ndillnin, autoritetet e arrestojnë dhe e dërgojnë Stamboll ku u dergj burgjeve dhe vdiq nga kolera.[12] U thurën mersije (elegji) kushtuar tij, i mbajtur shehid (dëshmor në fe) nga poeti,[8] bashkëqytetari dhe bashkëkohësi Fejzi.[5]
Duke qenë persishtja gjuha e traditës poetike myslimane, përmes të cilës jepej mësim,[14] mendohet se në mbrujtjen e Nezimi kanë patur ndikim parimet poetike perse, mes të cilës traktati Çahar Meqalla i Nizamit.[15] Në poezinë e tij ai mburret si ashik duke vënë në përdorim dikotomi klasike të poezisë (gjakues/gjakim, bilbil/trëndafil, era e pranverës/pranvera, Mexhnuni/Lejlaja)[16] dhe krahasohet me poetët e mëdhenj të Orientit, aq sa veten e quan Saadiu dhe Urfiu i kohës së tij.[5]
Nezimi vjershërimin e nisi në vitin 1144 H (6 korrik 1731 – 23 qershor 1732), kurse në vitin 1148 H (24 maj 1735 – 11 maj 1736) hartoi Divanin shqip, përveç dy divaneve që shkroi më vonë në osmanisht e persisht.[11] Nezimi mbahet si krijuesi i Divanit të parë në gjuhën shqipe. Fryma sufi në filozofinë myslimane dhe shoqërinë shqiptare përcjellin krejt tekstin, nga ndodhitë, te fjalët e urta dhe porositë si për botën e jashtme ashtu dhe për atë të brendshme.[7] Me rreth 110 gazele e kaside, në Divanin e tij gjendet edhe poezia e parë laike[16] brenda trajtimit mbarëjetësor të poezisë së traditës myslimane.[7]
Një pjesë të madhe të Divanit autori ia kushton dashurisë hyjnore (ashk hakiki) duke e bërë të qartë dallimin nga dashuria alegorike e binomit (mexhazi) mistik sipas hermeneutikës së mistikës islame.[17]
I mbajtur si poeti i parë dhe më i madh i bejtexhinjve shqiptarë [18][3] në njërën prej poemave të tij e përshkruan veten si njeriun që i dha shqipes dinjitetin e një gjuhe letrare. Çka sipas Pipës, në njëfarë kuptimi edhe e bëri.[3]
Divan kush pat folurë shqip?
Ajan[19] e bëri Nezimi.
Bejan[20] kush e pat folurë shqip?
Insan[21] e bëri Nezimi.
Përmbajtja praktike mbarëjetësore e veprës së tij përmes gazeleve, kasideve, pasuroi rendin bisedor, ahengun duke i hapur rrugë mesnevit, ilahisë, med-hisë, mersijes, etj.[7] Kur Von Hahni zgjodhi t'ia botojë disa poema më 1854 - hera e parë që një bejtar botohej jashtë qerthullit të Elifbasë - e mbiquajti Anakreonti shqiptar.[22]
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)