Skurajt, Izgurliu ose Uzgurliu, kanë qenë një familje fisnike arbërore ndikimi i të cilës shtrihej në mes Tiranës dhe Durrësit dhe më pas mendohet se vijuan si funksionarë të Perandorisë Osmane[1][2]. Stema heraldike e kësaj familjeje është brendësuar në flamurin dhe stemën e Tiranës[3].
Në dokumentet mesjetare latine, bizantine dhe sllave, mbiemri dokumentohet në disa trajta gjuhësore shkrimore si: Scura, Schura, Schuro, Sguro, Scuro, Sgurous, Zgura[4] etj. Studiuesit pohojnë se “emërtimi Skura ka prejardhjen toponimike nga treva e Shqipërisë së Mesme që fillimisht dokumentohet i lokalizuar tek Marin Barleti si Skuria, krahinë midis Tiranës dhe Durrësit”[5]. Më 1294-5 përmendet Progron i Sgurouve (Πρόγονος τοũ Σγούρου) si rimëkëmbës i kishës së Virgjëreshës Peribleptos në Ohër.[6]
Si patronim, përmendet Gjergj Skura në kadastrën e Shkodrës, me prona në përkatësitë e komunës[7]. Përmendet nga relacioni i Bolicës më 1614 ku në Balldren i quajturi Pepë Skura është në krye të 150 burrave në armë, ndërsa në Rus të Shkodrës i quajturi Mengo Skura në krye të 100 burrave në armë[8]. Një Pjetër Skura nga Kruja, nxënës në kolegjet e Fermos dhe Loretos, doktoruar për teologji-filozofi më 1665[9]. Më 1693 xhamisë në kalanë e Ulqinit i shtohet si hajrát një minare me gur të prerë nga bamirësi Haxhi Halil Skura. Në Shqipërinë e Mesme mbijeton toponimi Skuraj në Kurbin[10]. Lagjja Zguraj në Kavajë dhe ajo Uzgurli në Berat, mendohet se janë emërtuar prej pranisë së kësaj familjeje ndër këta qytete.
Stema gjendej në një gur varri, i cili mban emrin e Anton Skurës. Guri i varrit është zbuluar në vitin 1907 nga konsulli austro-hungarez në Shkodër, Theodor Ippen, në kalldrëmin para kishës së Zonjës Nunciatë, në Kodër-Marlekaj të Lezhës. Ky gur ka qenë lapidari mbi varrin e Anton Sgurës. Pas shembjes së kishës guri u përdor si pllakë kalldrëmi. Ippen e hoqi nga kalldrëmi dhe e vendosi në murin e kishës. Gjendet në gjendje të mirëmbajtur dhe ruhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë[10].
Në marsin e 2015 u gjet në qytetin e Lezhës një pllakë me mbishkrim i periudhës osmane, shkruar në arabishte dhe përkthyer nga prof. Mehmet Tutuncu i Qendrës Orientale në Holandë:
Sulltan Sylejmani, i biri i Selimit, i biri i Bajazid Khanit - iu zgjattë mbretërimi dhe jeta - ndërtoi këtë kala të bekuar me ndihmën e Dervish Muhamedit, bir Uzgurësh me datë - kryelartë është kalaja e Sylejmanit, dhe e fortë - 928 (1522).
Sipas historianit të perandorisë dhe arkitekturës osmane, Machiel Kiel qeveritari vendor Muhamed bej Uzgurliu[11] është themeluesi i Xhamisë së Plumbit në Berat prej të cilit iu dha edhe emri një lagjeje të qytetit buzë Osumit. Mbiemër i cili, sipas historianit gjerman Franz Babinger, nuk fsheh gjë tjetër veçse osmanizimin e mbiemrit Skuraj, që u tejshkrua emri në Uzgur (+ liu/olli, tejshkrim nga turqishtja moderne Özgür+oğlu)[1].
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri |language=
(Ndihmë!)