Sulejman Naibi i njohur edhe si Sulejman Ramazani (Berat, ? - 1763 ose 1771/1772) ka qenë poet shqiptar i rrymës së bejtexhinjve, bashkëkohës i Nezimit.
- Në ëndërr të gremisurë
- Një natë m'u shty një sevda,
- Mahmudeja e stolisurë
- Mjeri unë po heq xhefa,
- Kjo sevdaja e insanit
- gjallë njerinë ç'e përvëlon.
- Mahmudeja e Sulejmanit
- me gazep sokakut shkon.
- Jelek kadife veshurë
- si mosnjeri në këtë dhé,
- Me buzë duke qeshurë
- ç'të ka hije, moj Mahmudé!”
- — Varianti i Mahmudesë së stolisurë botuar nga Arshi Pipa.[1]
Buharaja në dorëshkrimin e tij Një vështrim panoramik mbi të kaluarën e Beratit shkruan se Sulejman Naibi ka qenë beratas, nga lagjja Muratçelepias.[2] Njoftohet se vëllai i tij i madh quhej Ataullah Naim Mullanë, njohës i dijeve të Hurufijve, tek i cili mësoi Nezimi; e i tillë ishte edhe Sulejmani.[3] Mbi jetën e Sulejmanit dihet që ndjekte tarikatin bektashi,[4] u martua në Elbasan dhe që ka kaluar ca kohë në viset aziatike të perandorisë.[5]
Ndërroi jetë në Berat më 1763[2] ose 1771/1772,[4][5] u varros në varrezat e Xhamisë së Sahatit të mëhallës ku banonte.[2]
I cilësuar nga Elsie "poet i dalluar i traditës myslimane",[5] vjen fill pas Nezimit në radhojën kronologjike të poetëve të letërsisë shqipe me alfabet arab,[3] autor një Divani, dorëshkrimi i të cilit gjendej në Fier deri më 1944.[5] Dorëshkrim i cili, përpos pesë poezive, konsiderohej i humbur.[2] Ne 2022, Studiuesi Fatos Dibra publikoi nje edicion kritik te Divanit te Sulejman Naibit. qe permbaj 42 poezi.[6]
Bejtet e tij mbijetuan edhe përmes këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme, të tilla si Mahmudeja e stolisurë ose Jelekun kadife veshur, duke e bërë kështu poetin e parë shqiptar që i kushton vargje bukurisë së grave,[5] vargje të cilat respektojnë strukturën metrike orientale.[7] Në ato pak vargje të mbijetuara, studjuesit kanë vërejtur se krahasimisht me Nezimin, leksiku i Sulejmanit është më i përkorë ndaj orientalizmave.[8]
Këngë të tjera të njohura në ahengun qytetar beratas që e kanë burimin nga vargjet e Sulejmanit janë Kështu e kështu më thanë dhe Aman, o im atë.[9]