"Un Dia (One Day)" (e stilizuar me shkrim verzal)[1] është një këngë e këngëtarit kolumbian J Balvin, këngëtares angleze me origjinë shqiptare Dua Lipa, këngëtarit portorikan Bad Bunny dhe prodhuesi portorikan Tainy. Është publikuar përmes Universal Records më 23 korrik 2020.[2][3]
Në maj të vitit 2020, një klip 9 sekondësh i një kënge të titulluar "One Day" nga Lipa, Balvin dhe Bad Bunny doli në internet.[4] Klipi përmbante një bit reggaeton dhe vokale të Lipës.[5] Kënga u përfol se do të publikohej në qershor të po atij viti.[6] Në qershor, Balvin, Lipa, Bad Bunny dhe Tainy regjistruan një këngë me titull "Plateado" për Shoqërinë Amerikane të Kompozitorëve, Autorëve dhe Botuesve (ASCAP).[7] Më 21 korrik 2020, këngëtarët njoftuan se bashkëpunimi i tyre do të titullohej "One Day (Un Dia)". Kënga u bë premierë më 23 korrik 2020, në 20:00 ET (00:00 UTC më 24 korrik).
"Un Dia (One Day)" është një këngë e zhanrit house, pop dhe reggaeton,[8] me melodi dream pop dhe dancehall.[9] Për nga teksti, kënga ka tema të nostalgjisë dhe emocioneve të gjata.[10]