Dushan Mugosha (serbisht dhe malazisht: Душан Мугоша Dušan Mugoša, Leskopole, 7 janar 1914 - Beograd, 8 gusht 1973) ishte komunist jugosllav, i dërguar në Shqipëri nga Partia Komuniste Jugosllave (PKJ) për të organizuar Partinë Komuniste në Shqipëri i njohur në ilegalitet si Sala.
Mugosha përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]
Dushan Mugosha ka lindur më 7 janar 1914 në Ljeskopolje afër Podgoricës, në një familje fshatare. Shkollën fillore mbaroi në Pejë, shkollën pasfillore e filloi në Prizren, por nuk e përfundoi. Në moshë të re i u bashkua komunistëve jugosllavë.
Ai u bë anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë në vitin 1934. Në vitin 1938 zgjidhet anëtar i Komitetit Lokal të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Pejë dhe në vitin 1940, në konferencën rajonale, u zgjodh anëtar i Komitetit të Rajonal të Partisë Komuniste të Jugosllavisë përë Kosovën.
Në gushtin e vitit 1941 pas arrestimit të Miladin Popoviq dhe kërkesës së Fadil Hoxhës, me vendim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë udhëton drejt Shqipërisë. U nis drejt Shqipërisë me F. Hoxhën në Shqipëri duke udhëtuar nga Prizreni në Shkodër. Qëndrimi i parë i tyre zgjati 10 ditë. Në Shkodër, Dushani e Fadili qëndruan në shtëpinë e Ismet Shaqirit, anëtar i Grupit të Shkodrës[2].
Në tetor të vitit 1941, përfaqësuesit e Komitetit Rajonal të PKJ në Kosovë Boro Bukmiroviç, Dushan Mugosha, Pavle Jovieviç dhe Ali Shukrija u takuan me delegacionin komunist shqiptar të përbërë nga Koço Tashko, Xhevdet Doda dhe Elhami Nimani në Vitomiricë pranë Pejës.
Më 8 nëntor 1941, nën drejtimin e Popoviqit dhe Mugoshës u krijua Partia Komuniste e Shqipërisë. Me rekomandimin e tyre në krye të PKSh-së u vendos Enver Hoxha. Pas prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes dhe vendimeve të marra në Konferencën e Labinotit, u shpall lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar. Në krye të kësaj ishte Brigada I Sulmuese, komanduar nga Mehmet Shehu dhe zv. komisar Mugoshën me nofkën "Sali Murati", duke qenë hija e vërtetë e komandës së brigadës[3].
Mugosha u largua nga Shqipëria më 12 prill 1944. Gjatë qëndrimit pranë drejtuesve komunistë shqiptarë Mugosha udhëzonte partizanët shqiptarë që të pushkatonin pa gjyq kundërshtarët politikë.
Në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit Antifashist të Çlirimit Nacional të Serbisë më 6 Prill 1945 Dushan Mugosha ishte së bashku me Jovan Veselinovin dhe Mehmed Hoxhën ndër drejtuesit më me ndikim në vendimin për aneksimin e Vojvodinës dhe Kosovës nga Serbia[4].
Nga shkurti i vitit 1956 deri më 1965 Mugosha ishte Sekretar i Komitetit Rajonal të PKJ-së për Kosovën. Më 4 prill 1960, u emërua në në postin e Kryetarit të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, duke pasuar Pavle Joviçeviçin. Mugosha këtë post e mbajti për tre vite radhazi dhe u lirua nga ky post, më 18 korrik 1963, duke pasuar nga Stanoje Akshiç.[5]
Vdiq në Beograd më 8 gusht 1973.
Nga bashkëkohës e bashkëluftëtar me Popoviqin mbahet përgjegjës për frymëzimin e klimës së terrorit në Luftën Nacional Çlirimtare dhe pushkatimet pa gjyq. Përmendet për një kundërshtim të Tuk Jakovës kur Mugosha mëtonte të vriste tre xhandarë të dorëzuar, Mugosha e zmbrapsi Jakovën duke i thënë "oportunist" dhe i vrau xhandarët[6]. Xhelal Staravecka në një trakt të tij rrëfen per 13 të ekzekutuar në fshatin Fravesh dhe për torturimin e një devolliu, duke qenë edhe Mugosha torturues[7]. Më 22-23 tetor 1943 në Myzeqe u vranë 67 ballistë myslimanë të dorëzuar, duke dalluar dhe liruar 10 ortodoksë pasi i kishin zhveshur, ballistët që nuk i vrau Shehu i shkoi në thikë Mugosha[3][8].
... тих одлука изрази- ли су Јован Веселинов, Душан Мугоша и Мехмед Хоџа као представници Војводине и Косова и Метохије на ванредном заседању антифашистичког већа народног ослобођења Србије, 6. априла 1945. године ...