Llazar Fundo i njohur edhe si Zai Fundo (Korçë, 20 mars 1899 - Bytyç, 1944) ka qenë veprimtar politik shqiptar i periudhës së mesluftërave botërore, aktivist dhe mandej kryetar i shoqërisë "Bashkimi" të Avni Rrustemit, eksponent i njohur i lëvizjes komuniste dhe anëtar i Partisë Komuniste Franceze, ish-punonjës i ambasadës ruse në Berlin, më tej gazetar social-demokrat, veprimtar i Ballit Kombëtar.
E braktisi ideologjinë komuniste më 1936, sepse, siç i shkruante Nolit, komunizmi ia kalonte edhe "Satanait për nga ligësitë".[1]
U lind në Korçë më 20 mars në një familje tregtare vllehe me origjinë nga Voskopoja.[2] Ndoqi liceun francez në Selanik, më pas studimet për drejtësi në Sorbonë të Parisit ku ra në kontakt me idetë komuniste. Më 1923 u kthye në Shqipëri me profesionin jurist. Ndërkohë mori pjesë në shoqërinë "Bashkimi" (1922-1925) pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i shoqërisë dhe drejtoi gazetën Bashkimi.
Në mbarim të dhjetorit, kur qeveria e Nolit ra, u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi. Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën Liria Kombëtare e Omer Nishanit. Gjatë qendrimit në Vienë aderon në Federatën Komuniste Ballkanike, që kishte në brendi Konare-në dhe Komitetin e Kosovës, ku Zai ishte aktiv. Më pas emigron drejt BRSS-së, diplomohet për filozofi në Moskë dhe jep leksione të kësaj lënde në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern.
Merr pjesë në Kongresin e 8të të Federatës Komuniste Ballkanike ku diskutoi rreth formimit të partisë komuniste në Shqipëri, duke ndihmuar të formohet Grupin Komunist të Korçës.
Me 1933 ndodhej në Gjermani ku sheh Zjarrin e Reichstagut dhe largohet drejt Bashkimit Sovjetik me të gjykuarin e Leipzig-ut, Gjergj Dimitrov. Dënohet me vdekje nga Kominterni për qendrimin kundra-Stalinist më 1938, por Dimitrovi - atëherë prijës i Kominternit - e rrëzoi vendimin.
Me 1939 pas pushtimit italian kthehet n'atdhe. Nisë punën si mësues gjimnazi. Hiqet pas një viti për veprimtarinë e tij anti-italiane bashkë me Ali Këlcyrën, me të cilin puqet dhe në mendimin politik të qendrës së majtë. Kapet nga italianët dhe internohet në ishullin famëkeq të Ventotenes. Atje do ishte bashkë me Safet Butkën, Myzafer Pipën, Isuf Luzajn, Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin. Spinelli do e përshkruante në autobiografinë e tij Si provova të bëhesha i urtë:[3]
Me dy federalistët italianë bashkë me mikun e tij Stavro Skëndin hartojnë Manifestin e Ventotenes.
Pasi regjimi fashist mori tëposhten e tij më 1943, megjithë mbështetjen vëllazërore dhe miqësore që i dha Sandro Pertini, në një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943; që donte ta bindte për të qëndruar në Itali për të luftuar me të fashizmin, ai vendos të kthehet në Shqipëri për të luftuar. Bashkohet me vëllezërit Kryeziu dhe misionin britanik pranë tyre në Malësinë e Gjakovës.
Në shtator 1944 kapet nga partizanët jugosllavë në Bytyç të Malcisë së Gjakovës, i dorëzohet komunistëve shqiptarë. U akuzua për 'trockizëm' dhe bashkëpunim me Shërbimin Informativ Britanik,[4] u kap dhe u fshikullua ose u rrah gjer në vdekje nga forcat partizane në Kolesjan.
I jepet titulli “Martir i Demokracisë” në vitin 1995 nga Presidenti i Republikës Shqiptare Dr. Sali Berisha.[5]