Musa Ramadani | |
---|---|
Lindi | Gjilan, Mbretëria Shqiptare (1943–44) |
Vdiq | Prishtina, Republika e Kosovës |
Shtetësia | kosovar - shqiptar |
Musa Ramadani (Gjilan, 21 maj 1944 - Prishtinë, 10 mars 2020) ka qenë shkrimtar poet, prozator dhe publicist shqiptar.
U lind më 1941 në Gjilan nga një familje zejtarësh të cilët kishin një furrë dhe dyqan tekstili në çarshinë e qytetit. Në 22 dhjetor 1944, Shtabi i Forcave Shqiptare Vullnetare vendosi të sulmojë për marrjen nën kontrollë të Gjilanit nga Administrata e re e Komunistëve Jugosllavë. Në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944, forcat e vullnetarëve shqiptarë sulmuan dhe gati arritën ta kthenin kontrollën e gjithë qytetit, përveç ndërtesës së OZNA-s dhe të Këshillit Popullor të Rrethit. Forcat serbo-maqedonase në shenjë hakmarrjeje për sulmin e forcave vullnetare shqiptare mbi Gjilanin, filluan vrasjet masive. Fillimisht rrëmbyen me përdorimin e forcës pa dallim qytetarë të Gjilanit, i nxorrën nga shtëpitë, dyqanet, rrugët, i morën dhe i mbyllën në ndërtesën e vjetër të burgut të qytetit.
Familja Ramadani braktisi shtëpinë me një autobus me 16 të plagosur drejt Prizrenit, në të cilin qytet e kaloi fëmijërinë e hershme dhe e kreu klasën e dytë fillore.
Me t’i vdekur babai, familja u kthye përsëri në vendlindje. Aty mbaroi shkollimin e mesëm. Shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega: Gjuhë dhe letërsi Shqipe) e mbaroi në Prizren.
Në fund të vitit 1965 filloi veprimtarinë e tij si gazetar. Ishte korrespodent i rregullt i gazetës “Rilindja” dhe pastaj redaktor i përgjithshëm i kulturës në gazetën Rilindja.[1]
Musa Ramadani është prezantuar në disa nga vëllimet, panoramat letrare e antologjitë, të përkthyera edhe në gjuhë tjera. Është laureat i një sërë çmimesh. Talentin e tij e ka sprovuar edhe në krijimtarinë e fushave të tjera artistike. Është autor i një sërë tekstesh për këngë të lehta e të muzikës së tendencave moderne. Eshtë autor edhe i disa këngëve në frymën e zhanrit të muzikës së lehtë. Ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake muzikore, ka kompozuar këngë, të cilat, madje në manifestimin më të madh muzikor të kohës, “Akodret e Kosovës”, janë vlerësuar edhe me Çmimin e Parë të Jurisë. Herë pas herë, është marrë e merret edhe me pikture. Madje një “kaptinë” e tërë e romanit të tij të fundit “Inamor:55”, është e “ilustruar” nga vetë punimet e autorit. Ramadani ka shkruar edhe humoreska, skeçe humoristike e shkrime satirike, me pseudonimin “Babloku”. Merret edhe me shkrime eseistike e kritikë teatrore, sikundër edhe me Udhëshkrime (nga Vjena e Parisi).
Drama “Moisiu në unazën e Inflandit”, në sezonin 2003, u inskenua nga Teatri Kombëtar i Prishtinës, ndërkaq, drama “Ligatina” e Nebi Islamit, shkruar sipas motiveve të romanit homonim të Musa Ramadanit, në sezonin 2006, u inskenua në Teatrin Kombëtar të Gjilanit. Ramadani punon me një përkushtim të madh, gjithnjë duke i qëndruar besnik frazës e vargut të latuar deri në përpikmëri, të një sintakse të kulluar shqipe, të një leksiku të begatshëm shprehjesh është cilësuar nga kritika letrare, siç është vepra “Ligatina”, sikundër edhe “Zezona”, e një sërë përmbledhje tregimesh prej tij.