Abedin Nepravishta | |
---|---|
![]() | |
Kryetar i Bashkisë Durrës | |
Në detyrë 1927–1928 | |
Paraprirë nga | Jahja Ballhysa |
Pasuar nga | Ahmet Dakli |
Kryetar i Bashkisë Tiranë | |
Në detyrë 1933–1935 | |
Paraprirë nga | Rexhep Jella |
Pasuar nga | Qemal Butka |
Në detyrë 1937–1939 | |
Paraprirë nga | Qemal Butka |
Pasuar nga | Qazim Mulleti |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 1857 Nepravishtë, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 1975 Fier, Republika Popullore e Shqipërisë |
Nënshtetësia | shqiptar |
Fëmijët | Nestor Nepravishta (1931-2012) |
Punësimi | nëpunës |
Zejnelabedin më i njohur si Abedin Nepravishta (Nepravishtë, 1887 ose shtator 1889 - Fier, 1975) ka qenë prefekt dhe kryebashkiak, mes të tjerash kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 1933-1935 dhe 1937-1939. Shërbeu si nëpunës karriere për vite me radhë në qytete si Durrësi, Shkodra, Korça, Vlora, Elbasani, Berati, Gjirokastra.
U lind në Nepravishtë, i biri i kadiut Fazlli efendiut dhe një zonjë nga Sulejmanbejllinjtë e Frashërit. Kreu shkollën ryzhdije në Gjirokastër dhe më pas vijoi[1] dhe kreu studimet në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore "Mekteb-i-Mylkie-i-Sehahané" në Stamboll në vitet 1908–1912.[2][3]
Dhjetorin e vitit 1921 kur grupimi "Bashkimi i Shenjtë" shkaktoi dorëheqjen e qeverisë Evangjeli, Nepravishta ishte zv/prefekt i Tiranës.[4] Pas dhjetorit kur ndërruan disa qeveri, në kohën e qeverisë Ypi u emërua prefekt i Elbasanit ku ndërmjetëson tek miku i tij Aqif pashë Elbasani që të dalë jashtë pasi zërat për kryengritje në emër të tij mund t'ia kanosnin pozitat.[5] Ishte me detyrë prefekt i Shkodrës ku nisën ngjarjet e Lëvizjes së Qershorit, qëndroi në prefekturë i rrethuar nga njësite me në krye Rexhep Shalën dhe Ndok Gjeloshin. E dorëzoi prefekturën pasi u vra kapiten Ferit Frashëri[6] dhe ndërhyri P. Gjergj Fishta.
Gjatë kohës kur shërbeu si prefekt në Vlorë në vitete 1931–1933, zbuloi Lëvizjen e Vlorës të financuar nga legata serbe në qytet. Gjatë shërbimit të tij në Vlorë u ndërtua shëtitorja Vlorë-Skelë
Më 1937 zbuloi edhe Lëvizjen e Delvinës kryesuar nga ish-ministri Et'hem Toto, i përkrahur nga shërbimi sekret italian.
Nepravishta qe nëpunësi i vetëm në detyrë në ditën e pushtimit në 7 prill 1939. Ndonëse iu ofrua, ai e refuzoi me mirësjellje arratinë duke qenë i ndërgjegjshëm për fatin e pritshëm. Qe ndoshta i vetmi që refuzoi të ikte me Asamblenë, e cila pranoi bashkimin me Italinë dhe u bë i burgosuri i parë i Italisë fashiste duke qenë dhe antifashisti i parë i internuar. Pasi u kthye në Shqipëri në vitin 1942, u ftua në Mbledhjen e Pezës nga Syrja Selfo, por mosha ia pamundësonte veprimtarinë politike.
Me ardhjen në fuqi të partizanëve komunistë, burgoset dhe dënohet me burgim.[3] Abedin Nepravishta u burgos si “armik i popullit” qysh të nëntor të 1944, ende pa mbaruar lufta. Doli prej burgu më 1962, që të internohej në Ndërnenas të Fierit, më 1967, deri kur ndërroi jetë më 1975.[7]