Maliq bej Bushati | |
---|---|
Kryeministër dhe zëvendësisht sekretar i Partisë Fashiste | |
Në detyrë 12 shkurt, – 10 maj, 1943 | |
Paraprirë nga | km Eqrem bej Libohova; spf Kolë Bibë Mirakaj |
Pasuar nga | Libohova |
Ministër sekretar shteti për Punët e Mbrendshme | |
Në detyrë 12 prill, 1939 – 3 dhjetor, 1941 | |
Paraprirë nga | Zef Kadarja |
Pasuar nga | Mustafa Kruja |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 8 shkurt 1890 Shkodër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 20 shkurt 1946 Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Nënshkrimi | |
Maliq bej Bushati (Shkodër, 8 shkurt 1890 - Tiranë, 20 shkurt 1946) nëpunës, ministër e kryeministër shqiptar.
Lindi në Shkodër më 8 shkurt 1890,[1] i biri i Hysen bej Bushatit i degëzimit Alibegaj të Bushatlinjve. I ati mori arsim ushtarak në shkollat më prestigjioze të Stambollit. Shërbeu me gradën major në policinë e Selanikut në dekadën e parë të shek. XX, por papritur vdiq në moshë të re më 1903.[2]
Maliqi pas ryzhdijes në Shkodër vijoi studimet në Robert College në kryeqytetin e Perandorisë Osmane ku u njoh me Ahmet Zogun,[3] në vitin 1910. Bëri pjesë në në rrethet shqiptare të Stambollit (anëtar i Klubit Shqiptar të Stambollit 1910-1912) dhe të Selanikut ku gjeti mjaft miq prej të atit, i edukuar me frymën atdhetare nisi të angazhohej për çështjen kombëtare. Mori pjesë në luftimet e frontit të Taraboshit në kohën e rrethimit të Shkodrës.[2]
Më 1914 radhitet sëbashku me veprimtarë të shquar atdhetarë si Hamid Gjylbegu, Riza Dani, Taip Shkodra, etj. në organizatën progresiste "Krahu kombëtar", e cila e transferoi qendrën nga Durrësi në Shkodër për shkak të ngjarjeve të atyre viteve që tronditën Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut.[4]
Në vitin 1915, kur malazezët u kthyen në Shkodër, iu desh të qëndronte në ilegalitet në Bushat ndër kushërinj. Më 1919 ishte drejtues i gazetës Populli në Shkodër. Gjatë viteve të Luftës I Botërore është anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe shef i degës së Shëndetsisë në Bashki. Gjatë Luftës së Koplikut ishte anëtar i shtabit të luftës.
U zgjodh deputet në periudhat 1921-1923 kur rreshtohet me Partinë Popullore[5] dhe në vitet 1925-1937 mbas Lëvizjes së Qershorit. Mbante kontakte me emigracionin antizogist[6] dhe ishte ndër përkrahësit eventualë të përmbysjes së Zogu,[7] synim për të cilin po punonte që më 1938 me Italinë fashiste.[8]
I lakuar si Ministër i Punëve të Brendshme në 1939-1941 dhe kryeministër në 1943. Në 14 shkurt 1946 pushkatohet si kolaboracionist së bashku me Patër Anton Harapin dhe Lef Nosin.[9]